Albanisch


JÜRGEN JANKOFSKY

 

 

ANA HUD

 

 

 

Një

 

“E padrejtë!”, thirri Ana, “Kjo është e poshtër, kaq e poshtër!”.

Në televizion shihej një refugjat që po dilte nga deti. Ai mbartte në krahë një fëmijë, një fëmijë të vdekur. Me kujdes, me zemër të thyer, e shtriu trupin e tij mbi rërë dhe u ul në gjunjë pranë tij duke vështruar qiellin. Turistët, në rroba banje, fëmijët gjithashtu, nisën të mblidhen me sy të shqyer rreth tyre. Jo, nuk ishte një film i sajuar. Ishin lajmet! Çdo gjë ishte një e vërtetë e gjallë që po ndodhte pikërisht në atë moment.

Ana mbuloi sytë me duar, shkundi kokën. Por imazhet mbeteshin të gjallë para syve të saj. Mbi ujë plluskonin trupa të tjerë njerëzish të arratisurish nga vendlindja e tyre, dhe në horizont shihej një tjetër varkë duke u mbytur.

Në fakt nuk ishte hera e parë që ajo shihte imazhe të tilla në televizion, por sot diçka po i dhimbte fort në zemër.

Spikeri i lajmeve në televizion thoshte se ata që dëshironin të ndihmonin mund të dhuronin në çdo kohë diçka për këta njerëz.

Ana iku vetimthi në dhomën e vet dhe mori poçen e saj të kursimeve. Dje gjyshi dhe gjyshja e saj kishin futur aty shumë para duke ia dhuruar kësisoj Anës për pushimet e saj me mamin dhe babin e vet, nën hijen e palmave të jugut. Por ja që ndodhnin edhe gjëra si kjo që po shihte Ana në televizion...

“Jo! Ju lutem jo! Këto gjëra nuk duhet të ndodhin!”

Ana e  ngriti poçen e kursimeve lart dhe bammmmm.... Poçja u thye mbi dysheme. Monedhat u rrokullisen nëpër dhomë.

“Çfarë ka ndodhur?”, nëna e Anës erdhi me vrap nga kuzhina. “Çfarë po bën ashtu moj vajzë!”

“Dua t’i dhuroj këto para!”, tha Ana duke i treguar së ëmës për çfarë kishte parë në televizion. “Do të më ndihmosh mami?”

“Po unë të ndihmoj por...”

“Mua më duket e poshtër”, i tha Ana, “që të rrish shtrirë në rërë e në diell pikërisht në atë vend e në atë bregdet ku njerëzit mbyten e deti i nxjerr të vdekur. Kjo gjë duhet të marrë fund, të marrë fund përgjithmonë!”

 

 

Dy

 

Robini goditi automatët e çimçakizave me pëllëmbën e dorës.

“Të marrtë dreqi!”, mallkoi ai, “Edhe sa para duhet të fus akoma këtu? Pse nuk nxjerr gjë kjo e mallkuar?”

Ana rrinte e vëzhgonte se si Robini rrëmonte i nevrikosur xhepat e pantallonave. Por pikërisht përpara se ai të merrte e të fuste ne automat edhe një monedhë tjetër, ajo briti fort:

“Prit!”

Ana i kishte pyetur tashmë të gjithë fëmijët e klasës së saj nëse do të ishin të gatshëm të bënin diçka për më shumë drejtësi në këtë botë, diçka kundër mjerimit, fatkeqësive, vuajtjes. Por të gjithë kishin një justifikim në majë të gjuhës: Disa kishin harruar kuletën, disa nuk kishin kohë në atë moment se kishin shumë për të mësuar, të tjerët thonin se duhej të pyesnin më parë prindërit e tyre, dhe ca të fundit i kishin thënë se donin të bënin diçka por mbase të nesërmen, mbase...

Robini rrotulloi sytë mbi petat e çimçakizave që Ana i kishte nxjerrë tashmë duke rrëmuar thellë në çantën e saj. Një çikë pis ishin bërë, por gjithësesi ishin çimçakiza. Ai dëgjonte me durim se si Ana i tregonte gjithçka, duke filluar që nga imazhet e tmerrshme që kishte parë në televizion. Dhe me të vërtetë, Robin donte të bënte diçka për të kontribuar për çështjen, dhe ia dha Anës monedhën e tij për ta futur në poçen e kursimeve.

 

 

Tre

 

Ana i dhuroi të gjitha paratë e mbledhura në poçen e saj, madje edhe ato monedha që babai ia kishte dhënë për dhjetën e marrë në matematikë kur ajo ishte lodhur aq shumë për të mësuar. Ana i luti të gjithë të afërmit, dajat e hallat, kushërijtë e kushërirat, komshijtë e komshijet, deri edhe mësuesit e saj, apo edhe njerëz të panjohur në rrugë për të vepruar edhe ata ashtu si po vepronte ajo.

E megjithatë këto imazhe në televizion, këto skena të frikshme në lajme, nuk kishin të mbaruar. Përkundrazi. Në vend që të pakësoheshin, ato shtohehin gjithnjë e më shumë, bëheshin më të tmerrshme. Akoma më shumë varka mbyteshin, akoma më shumë njerëz vdisnin, e akoma më shumë njerëz rrinin ulur para televizionit, gojëkyçur, pa bërë asgjë.

 

 

Katër

 

Robini pyeti Anën nëse e dinte që emri i tij ishte i njohur në të gjithë botën. Ishte emri i një djaloshi të veshur me të gjelbra, emri i një shigjetari të pagabueshëm, një heroi të guximshëm dhe mendjemprehtë që u rrëmbente para e stoli të pasurve për t’ua dhënë të varfërve...

“Robin Hud?”, u habit Ana.

“Saktë!”, aprovoi Robini.

 

 

Pesë

 

Ana kishte humbur në mendime.

“Domethënë ti thua që nëse të pasurit sot do të jepnin majftueshëm për të varfrit në mënyrë që këta të kishin të paktën aq para sa për të ngrënë e për të pirë, për tu shkolluar dhe për të gjetur një punë të denjë, atëherë askush nuk do të arratisej nga vendi i tij?”

“Nuk e di”, i përgjigjej Robini.

“Të varfërit nuk do ta braktisnin atdheun e tyre për të udhëtuar drejt vendeve të pasura përmes detit të rrezikshëm, përmes shkretëtirave, duke kapërcyer malet dhe telat me gjemba që rrethojnë kufijtë?”

“Nuk e di”, i përgjigjej Robini.

“Ku mund të mësoj të gjuaj me hark e shigjetë?”pyeste Ana.

“Nuk e di” i përgjigjej Robini.

 

 

Gjashtë

 

Robini vëzhgonte se si Ana ndryshonte çdo ditë e më shumë: Në fillim ajo filloi të dilte me një shigjetë të gjelbër në flokët e saj. Pastaj i kishte lyer thonjtë me manikyr të gjelbër dhe për më tepër kishte veshur edhe një pulovër të gjelbër. Ditën tjetër i kishte shtuar veshjes edhe një fund e një palë këpucë të gjelbra. Si për t’i vënë vulën kësaj pune, kishte shkuar në shkollë e lyer edhe me buzëkuq të gjelbër. Edhe sytë i kishte lyer me hije të gjelbra, kishte vënë një orë dhe byzylykë të gjelbër në njërin kyç, varëse e unaza të gjelbra dhe edhe çantën e shkollës e kishte po në ngjyrë të gjelbër.

Por sa më shumë gjëra të gjelbra që Ana i shtonte pamjes së saj, aq më shumë e mbyllur bëhej ajo; dukej e zhytur në mendime, nuk qeshte më, i evitonte të tjerët në rrugë, nuk fliste me askënd, madje as me Robinin.

Mbase as që nuk e kishte vënë re fare që Robini kish nisur të vinte edhe ai në shkollë me një kasketë të gjelbër, dhe e mbante atë edhe gjatë mësimit nëse mësuesit nuk e detyronin që ta hiqte.

“Të shkon ngjyra e gjelbër!”, i tha Ana një ditë atij.

“Po edhe ty të shkon”, ia ktheu Robini.

Të dy qeshën nën zë.

“Robin Hudi ishte gjithmonë i gëzuar”, tha Robini, “gjithmonë i gatshëm të bisedonte me njerëzit, ishte gjithmonë në qejf”.

“Po nga e di ti këtë?”

“Po ja kam lexuar ca gjëra. Në internet, për shembull”.

“ Epo mirë!” tha Ana, “E çfarë pastaj?”

“Po të kishte qënë i vetëm, Robin Hudi nuk do të kishte arritur asgjë, absolutisht asgjë. Po të mos kishte pasur njerëzit e tij të besuar, po të mos kishte pasur bandën e tij, grupin e tij të miqve, kurrë nuk do të kishte mbledhur asnjë qindarkë, nuk do të kishte mundur të kërkonte drejtësi për të varfërit, asnjëherë”.

“Hmm...”, Ana u mendua një çast, “Ti do të thuash që...”

“Po ta merr mendja!”, i tha Robini.

“Epo mirë, atëherë...”, Ana i hodhi Robinit një nga unazat e saj të gjelbra, “Mirësevjen në Grupin e Ana Hud!”

 

 

Shtatë

 

Duke kërkuar në Internet, Ana zbuloi se shokët e tij e quanin Robin Hudin “kaçak” dhe se sipas ligjit të kaçakëve, paratë u rrëmbeheshin të pasurve për t’ia dhënë të varfërve.

Por Ana zbuloi edhe se, në fakt, Robin Hudi nuk i kishte marrë kurrë të pasurve më shumë se gjysmën e parave të tyre, në mënyrë që ata të mos ktheheshin vetë në të varfër.

Më në fund lexoi edhe se në Angli ekzistonte prej qindra vitesh një festë tradicionale, “Festivali i Robin Hudit”, ku njerëz të ndryshëm këndonin, kërcenin e aktronin; ku akrobatë, xhonglerë e prestigjatorë jepnin shfaqje të ndryshme, dhe ku në fund të shfaqjes, të pasurit dhuronin me vullnet të lirë shumë para për të varfërit. “Festivalet e Robin Hudit” ishin në “Ditën e Robin Hudit”, dhe kjo ishte në datën 1 maj.

 

 

Tetë

 

“Mrekulli fare!”, briti Robini, “Sot është dita e parë e muajit maj. Hajde, ikim!”

“Po ku do të ikim?”

“Atje ku shkojnë të gjithë të pasurit. Atje ku ka shumë para. Në bankë!”

Ai e kishte rrëmbyer ndërkohë Anën për dore dhe po vraponte me të nëpër qytet.

Çfarë të shihnin! Para bankës qëndronin, nga njëra anë e rrugës, burrë e gra në moshë të thyer që të shurdhonin veshët me bilbilët e kuq. Ata ngrinin lart flamuj dhe pankarta të kuqe. Edhe nga ana tjetër e rrugës nuk shihje njerëz të rinj në moshë, por këta këndej mbartnin flamuj e pankarta të zeza dhe bërtisnin e thërrisnin fort e më fort në mënyrë që të dëgjoheshin edhe më fort se bilbilat e kuq. Polizia qëndronte në mes. Kur turmat ndalonin të brohoriturat për të marrë frymë, një diskutant i thyer në moshë niste e fliste në podium mbi pushtetin e parasë që punëtorët e të gjitha kombeve duhej të vuanin mbi supet e tyre. Ose ai niste të lexonte citate nga një copë letër që e mbante përpara, nga e cila, për hir të së vërtetës, Ana e Robini nuk kuptuan asnjë gjë prej gjëje në fakt.

Përpara se këta të dy të nisnin të këndonin, kërcenin, ose të bënin akrobatin, xhonglerin apo prestigjatorin, siç e kishin bërë në plan sipas modelit të “Festivalit të Robin Hudit”, turmat u bërtitën me inat:

“Këtu nuk është vend për të lozur!”

“Këtu kemi dalë për “1 Majin – Dita e Punës dhe e Luftës!”

“E morët vesh? Mbathjani tani!”

 

Nëntë

 

“Vini re! Vini re! Fëmijë të dashur!”, Ana nisi të shpërndante kudo mesazhe përmes internetit:

“Kush është kundër padrejtësisë? Kush është kundër ligjit të më të fortit? Ne kemi themeluar Grupin e Ana Hud! Do bashkoheni me ne? Nëse po, na kontaktoni!”

 

 

Dhjetë

 

Nuk zgjati shumë dhe Ana mori përmes internetit mesazhe nga e gjithë bota.

I pari i shkruajti Oto: “Unë jam me ty!”

Pastaj i shkroi Ahmeti, Armeni, Amo, Zovani dhe Akira.

Maria donte të dinte, nëse mund t’i përkthente mesazhet e Anës edhe në një gjuhë tjetër.

“Sigurisht që po!”

Zvjetllana donte të dinte nëse mund t’ia transmetonte mesazhin e Anës edhe fëmijëve të tjerë.

“Sigurisht që po!”

Indira donte të dinte nëse mesazhet e përkthyera tashmë mund t’i përkthente edhe në gjuhë të tjera dhe t’i shpërndante më tej edhe këto mesazhe.

“Sigurisht! Sigurisht! Sigurisht!”

Ishte një jehonë e fuqishme: Shumë fëmijë të tjerë donin të bëheshin pjesë e iniciativës: Gitzo dhe Zllatko; Hajle dhe Bageshre; Manon dhe Tijz; Agneta, Ejlyl dhe Sara; Hoze, Xhon, Gjergji dhe Xhovani; Ling, Rui, Xhingis, Malajka, Vajne, Zabi, Jala, Hrafnhindur, Bintang, Odisea dhe Valujo; Najra, Movan, Ernesto dhe Janko; Zhaneta dhe Jasmina; Karamba, Patriku, Reto, Nanuku, Ngunoue, Zveni, Zaharia, Namuroli, Hoa, Gabija, Radu, Tencini dhe Zo-Jungu.

“Jeni të gjithë të mirëpritur!”, u shkruante Ana.

 

 

Njëmbëdhjetë

 

“A e ke parë”, e pyeti Robini Anën, “se çfarë idesh fantastike kanë anëtarët e rinj të grupit tonë mbi atë se çfarë mund të bëjmë?”

“Po sigurisht”, tha Ana, “do ta mendojmë se çfarë mund të bëjmë!”

Një propozim ishte, për shembull, që të gjithë fëmijët e mbarë botës që shkonin çdo mëngjes në shkollë me barkun bosh, të ftoheshin nga të pasurit për drekë, dhe në këtë vakt të përfshiheshin të treja pjatat: një pjatë supë, një pjatë kryesore, dhe ëmbëlsirë pas buke. Duhej vënë në jetë, duke nisur që nga ky moment!

Ose një propozim tjetër ishte që të gjithë fëmijët të hynin në grevë pa afat derisa në mbarë botën të vendosej një taksë e veçantë mbi të pasurit, që do të mund t’i ndihmonte fëmijët e mbarë botës të kishin materiale për të bërë detyrat e shtëpisë, për të shkuar përsëri në shkollë e për të mësuar. Për ata njerëz të pasur që e fitonin paranë e tyre jo përmes punës por përmes parasë, kjo taksë duhej të ishte sa gjysma e fitimeve të tyre. Duhej bërë kjo punë, dhe sa hap e mbyll sytë!

Ose një propozim tjetër ishte që të gjithë njerëzit e kësaj bote, të vegjël apo të rritur, burra apo gra, të shëndoshë apo të dobët, të bardhë, të zinj, të verdhë apo të kuq, të çfarëdolloj ngjyre, të pasur apo të varfër, të përfitonin një shumë të caktuar parash çdo muaj në çdo vend të botës. Kjo në mënyrë që askush të mos kishte uri, askush të mos kishte etje, në mënyrë që çdo njeri të kishte një çati mbi kokë, të mund të shkonte në shkollë për të punuar me dinjitet e profesionalizëm në të ardhmen, për të pasur një rrogë të denjë që ia plotësonte nevojat e jetës, dhe kjo gjë duhet të ndodhte atje ku këta njerëz ndjenin se kishin vendin e vet, atje ku ata ndjeheshin “si në shtëpi”, atje ku i kishin realisht shtëpitë, të afërmit, kujtimet dhe ndjenjat e tyre. Një shumë parash, për faktin e vetëm se janë njerëz dhe duhet të jetojnë si njerëz. Sepse pasuria e gjithë kësaj bote mjafton për të gjithë njerëzit e kësaj bote, kudo që ndodhen këta njerëz – Qartë?

 

 

Dymbëdhjetë

 

“Shiko këtu dhe buzëqesh goce!”

Robini i bëri me shenjë Anës, që ishte veshur në të gjelbra nga koka tek këmbët dhe qëndronte para godinës së madhe të bankës, të lëvizte për të gjetur pozicionin e duhur.

“Edhe një hap përpara! Lëviz edhe pak, aty je tamam në mes! Duket mirë tani! Shumë mirë!”

Pastaj Robini hoqi kapelen e tij të gjelbër dhe ia vendosi Anës mbi krye. Dhe frap, frap, frap... bëri shumë fotografi të Anës para bankës.

Fotografinë më të bukur e hodhi në internet: “Të fala të gjithëve nga Ana Hud!”

Kur u kthye në shtëpi Ana shtoi aty edhe tekstin e mëposhtëm:

“Së shpejti është “1 Qershori – Dita e Fëmijëve”. Që nga ky moment duam që kjo ditë të quhet “Dita e Robin Hudit”! Ne do të vishemi me të gjelbra – secili prej nesh ka në garderobë diçka me ngjyrë të gjelbër: një çorape të gjelbër, një fjongo të gjelbër, një laps të gjelbër. Po edhe një gjethe palme ose thjesht një bimë e gjelbër do të bënte punë. Në “Ditën e Robin Hudit” ne do ikim të veshur me gjëra të gjelbra atje ku akumulohet paraja: në banka ose në shtëpitë e të pasurve. A nuk shkojmë për “Ditën e Verës” ose “Halloween” e u biem dyerve të shtëpive, e ata që na e hapin derën na japin diçka të mirë për të ngrënë? Këtë herë nuk duam as gjëra të ëmbla, as gjëra të tharta, as fruta të thata e as të freskëta. Duam vetëm Drejtësi! Drejtësi për të gjithë fëmijët e kësaj bote! Atë që do të na talli ose do të na kërcënojë, do ta fotografojmë dhe do ta hedhim foton e tij në internet. Vitin që vjen do të ketë akoma më shumë fëmijë të veshur me të gjelbra që në “Ditën e Robin Hudit” do t’ju trokasin në derë duke ju kërkuar Drejtësi. Do të ketë akoma më shumë një vit më pas, e akoma më shumë një vit më pas. Ne jemi një jehonë e fuqishme!”

Robini e pyeti Anën nëse mund të shkruante edhe ai diçka po aty në atë mesazh.

“Po, sigurisht që po!” ia ktheu Ana.

Atëherë Robini shkroi: “Mos harroni! Ne jemi sot fëmijë, por nesër do të rritemi – dhe nesër jemi ne ata që do ta drejtojnë botën!”

Përgjigja ishte e menjëhershme. Fëmijë nga e gjithë bota shkruanin duke pohuar se edhe ata ishin pjesë e kësaj nisme: “Edhe ne jemi me ju!”

Shumë kishin pyetje, donin të dinin shumë gjëra: si për shembull, nëse lejoheshin edhe syzet e gjelbra bashkë me rrobat e gjelbra. Ose nëse mund t’i filmonin, vizatonin ose fotografonin pllakatet e Anës.

“Po, sigurisht që po”, përgjigjej Ana.

Dhe në datën 1 qershor, që sot e tutje nisi të quhej “Dita e Robin Hudit”, Ana hapi kompjuterin herët në mëngjes dhe shkroi vetëm dy fjalë:

“Gati? Nisemi!”

 

 

Übersetzung / Përkthim: Gerda Dalipaj